Policia ka dhënë detaje nga aksidenti i mbrëmshëm në Fushë-Prezë ku humbën jetën 4 të rinj si pasojë e përplasjes së automjetit të tyre me një betoniere që drejtohej nga një 24-vjeçar i cili pas aksidentit është larguar nga vendngjarja.

 

Sipas policisë, rreth orës 23:50 të 19 marsit, në Fushë-Prezë, nga shërbimi i qarkullimit rrugor është konstatuar një automjet i cili kishte marrë flakë dhe para tij qëndronte një automjet betoniere, ku pas hetimeve rezultoi se kishte qenë një aksident.

“Nga hetimet e kryera me qëllim zbardhjen e ngjarjes rezultoi se automjeti drejtohej nga shtetasi E. L., 25 vjeç dhe dyshohet se është përplasur me automjetin betoniere të drejtuar nga shtetasi A. K., 24 vjeç, i cili pas aksidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Si pasojë e përplasjes dhe përfshirjes së automjetit nga flakët kanë ndërruar jetë drejtuesi i automjetit E. L., 25 vjeç dhe 3 pasagjerët në mjetin e tij E. L., 20 vjeç, E. K., 24 vjeç dhe A. L., 22 vjeç”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkaq, në vijim të veprimeve u shoqërua për veprime të mëtejshme drejtuesi i automjetit betoniere shtetasi A. K, 24 vjeç. Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet me qëllimin dokumentimin e plotë të ngjarjes.