Fëmijë nga “Klubi i Gjelbër” i shkollës fillore “Elena Gjika” u bënë pjesë e aktivitetit të mbjelljes së luleve sezonale për të shënuar Ditën e Pranverës në parkun e kryeqytetit.
“Shkolla jonë vazhdimisht merr pjesë çdo vit. Kemi zgjedhur 21 marsin, meqë është edhe fillimi i pranverës. Kjo është simbolikë që të ruajmë mjedisin,” tha Vlera Pireci, nxënëse e kësaj shkolle.
“Ne këtu po mbjellim lule, së bashku me anëtarët e klasës dhe të shkollës. Këtu ndjehem shumë i lumtur dhe ju uroj të gjithëve Ditën e Pranverës,” tha Enid Sejdija, nxënës.
Drejtoresha e Parqeve në Komunën e Prishtinës, Donika Çetta, tha se ky aktivitet nuk është vetëm një mbjellje e luleve sezonale, por gjithashtu një rritje e ndërgjegjësimit të të rinjve për ta ruajtur mjedisin.
“Këtë vit, meqë janë lule sezonale dhe nuk është një zhvillim i qëndruar, por janë vetëm një zbukurim, një larshmëri e natyrës sonë të bukur, atëherë kemi ardhur në këto 3 vitet e fundit duke e reduktuar numrin nga 1 milion e gjysmë, sa janë mbjellë vitet e kaluara, kemi rënë në 300-400 mijë lule që do të zbukurojnë qytetin, parqet, sheshet,” tha ajo.
Çetta shtoi se ditët dhe muajt në vazhdim, në komunën e Prishtinës, do të mbillen edhe drunj dhe shkurre shumëvjeçare.
Organizimi i aktivitetit u bë nga Ndërmarrja Publike Lokale “Gjelbër” dhe Drejtoria Komunale e Parqeve.