Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk i ka trajtuar në mënyrë të barabartë Kosovën e Serbinë si dhe ka dëmtuar edhe vetë kredibilitetin e BE-së si ndërmjetësuese në dialog. Osmani ka folur edhe për draftstatusin e asociacionit, për të cilin përsëriti se është në mospërputhje me kushtetutën. Ajo foli edhe për kritikat e Serbisë për marrëveshjen ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën e mbrojtjes.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kritikuar Bashkimin Evropian se nuk i ka trajtuar njëjtë Kosovën dhe Serbinë në kuadër të dialogut që e ndërmjetëson.
Pesë ditë pas takimit me emisarin e ri të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, Osmani ka thënë se në takim me të ka përsëritur edhe qëndrimin e saj për asociacionin, për të cilin tha se është në mospërputhje me kushtetutën e Kosovës.
“Është e njëjta që ia kam thënë nga fillimi i dialogut, e para që procesit i ka munguar bilanci, e dyta që palët nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë dhe kjo pastaj jo vetëm që e ka dëmtuar pozicionin e Kosovës e cila është pala konstruktive në këtë proces, besoj të gjithë pajtohemi për këtë, por po ashtu e ka dëmtuar edhe vet kredibilitetin e BE-së si ndërmjetësues në dialogun Kosovë Serbi”, tha ajo.
Osmani tha se dy vitet e fundit në Kosovë ka pasur shumë sfida në aspektin e sigurisë, të cilat kanë ardhur nga shteti agresor i Serbisë, e cila sipas saj, nuk ka interes për stabilitet në rajon.
Osmani foli edhe për marrëveshjen trilaterale ndërmjet Kosovës-Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën e mbrojtjes, për çka Serbia tha se është veprim kërcënues për ta. Në këtë rast, sipas presidentes, Serbia po e bën të njëjtën gjë që e ka bërë gjithmonë, po gënjen, sepse nuk ka asnjë të vërtetë në atë që e kanë thënë dhe nuk ka asnjë rrezik për ta.