Përmes një njoftimi në ‘Facebook’ Policia e Kosovës bën të ditur se pas pranimit të informatave të besueshme për organizimin e bixhozit të paligjshëm në një objekt banesor në qytetin e Gjakovës, Policia ka ndërmarrë veprime të menjëhershme duke ekzekutuar urdhër-kontrollin në dy lokacione të dyshuara.

“Gjatë këtij operacioni, njësitë policore kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale:  3 aparate të lojërave të fatit (APEX),  rreth 6 mijë euro dhe disa qindra të tjera në valuta të ndryshme të vendeve të tjera,  “çipa të pokerit” dhe letra bixhozi si dhe 1 pistoletë me një karikator”, thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se si rezultat i këtij aksioni, janë arrestuar 10 persona të dyshuar (meshkuj të moshës madhore), të cilët, pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me vendim të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Rasti po hetohet në drejtim të veprave penale: organizimi i skemave piramidale apo bixhozit të paligjshëm, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”, thuhet më tej në njoftim.

Ndryshe, Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër veprimtarive të jashtëligjshme dhe inkurajon qytetarët që të bashkëpunojnë duke raportuar rastet e tilla përmes numrave zyrtarë të kontaktit.