Policia e Kosovës njofton se zyrtarët policorë të Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri, në dy raste të ndara, kanë arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale: “Lëndim i rëndë trupor”. Rasti i parë ka ndodhur në Leposaviq, kurse rasti tjetër ka ndodhur në Zubin Potok.
Në një postim në ‘Facebook’ Policia e Kosovës bëri të ditur se me datë 22.03.2025, zyrtarët policorë të Drejtorisë Rajonale Mitrovicë Veri, në dy raste të ndara, kanë arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
“Rasti i parë: Lëndim i rëndë trupor, Leposaviq. Ky rast është raportuar më datën 21.03.2025, rreth orës 23:40 ku Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Leposaviq ka njoftuar policinë se një person me lëndime (frakturë në nofull) është pranuar për trajtim mjekësor.
Rasti i dytë: Lëndim i rëndë trupor, Zubin Potok. Më datën 22.03.2025, rreth orës 00:20 nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Zubin Potok është pranuar informacioni se një person me lëndim në kokë ka kërkuar ndihmë mjekësore”, thuhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se në rastin e parë pas marrjes së trajtimit mjekësore, viktima ka deklaruar se ishte sulmuar me grushte në fytyrë nga një person i dyshuar, derisa ishte duke qëndruar në një lokal nate, ndërsa për këtë rast në stacion policor është paraqitur i dyshuari F.M. 19 vjeç, i cili është intervistuar. Kurse në rastin e dytë viktima ishte sulmuar me një shishe qelqi nga i dyshuari I. A. 35 vjeç, derisa ndodhej në një lokal në Zubin Potok.
Pas sulmit, i dyshuari ishte larguar në drejtim të panjohur. Njësitë policore kanë arritur të ndalojnë dhe të arrestojnë te dyshuarin i cili po tentonte të kalonte kufirin e Kosovës përmes pikës kufitare në Bërnjak.
Lidhur me rastet për të gjitha veprimet është njoftuar Prokurori i Shtetit, me vendim të të cilit, të dy personave u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.