Perimet shënojnë rritje të ndjeshme të çmimeve, ndërsa konsumatorët dhe tregtarët japin qëndrime të ndryshme mbi situatën.
Në fillim të këtij muaji, qytetarët janë alarmuar nga rritja e çmimeve të produkteve bazë, një dukuri e zakonshme para festave dhe kremtimeve të rëndësishme.
Së fundmi, çmimet e perimeve kanë shënuar rritje të ndjeshme krahasuar me disa javë më parë. Megjithatë, çmimet e produkteve ndryshojnë ndjeshëm midis marketeve dhe Tregut të Gjelbër.
“Çmimet nuk janë edhe të shtrenjta në krahasim me qendrat tregtare ose me marketet; çmimet janë më të lira. Çmimet për shembull varirojnë, janë kështu: domatet që eksportohen nga jashtë janë pak më të shtrenjta, po ashtu edhe specat djegës. Përndryshe, të tjerat që janë vendore kanë çmime shumë të volitshme”, tha Shaban Bislimi, tregtar.
Nga ana tjetër, konsumatorët kanë mendime të ndryshme rreth çmimeve në tregje.
“Nuk e di, sepse nuk bëj krahasime me markete, nuk e di si janë çmimet. Për sende të freskëta, vjen këtu njeriu sepse nëpër markete janë krejt sendet të mbështjellura. Këtu i gjen hudhrat e katundeve që janë të freskëta, në markete i gjen hudhrat e mbështjellura të Kinës që janë nisur para 6 muajve”, tha për RTK, Fatmir Makolli, konsumator
Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e perimeve janë rritur me 28% në baza vjetore, ndërsa çmimi i pemëve është rritur me 1.4%. Krahasuar me muajin e kaluar, çmimet e perimeve kanë pësuar rritje prej 5.2%, ndërsa në nivel vjetor kjo rritje arrin në 2.5%. Për pemët, lëvizjet e çmimeve janë më të lehta, me një ulje vjetore prej 1.8%.