Helmimi i nxënësve në marsin e vitit 1990, në Podujevë nga pushtuesi serb, u kujtua këtë të shtunë. Përmes një akademie përkujtimore, të mbajtur në Kuvendin Komunal të Podujevës, u ndanë rrëfime nga këto helmime, ku u tha se ato mbeten plagë e hapur në kujtesën kolektive.
“ Në këto rrethana të vështira, ne, djemtë e “Rojës së Kohës”, u rreshtuam në vijën e parë për t’i mbrojtur nxënësit dhe shkollat tona. U përballëm me rreziqe të mëdha përfshirë përleshej të drejtpërdrejta me huliganët serbë dhe me policinë serbe”, tha Shaip Terrnava, kryetar i shoqatës “Roja e Kohës”.
“Bashkë me kimistin e njohur Selman Hotin, kemi pasur laboratorin por nuk kanë pasur aftësi që me anë të laboratorit të jepet konkluzioni se të jepen mostrat para. E kanë determinuar vetëm aromën”, tha Nexhmi Ganiu, historian
Nga nxënës të asaj kohe u tha se nuk do të harrohet asnjëherë kjo ngjarje tragjike.
Menjëherë pas helmimit u organizua garda civile me në krye me Shaip Tërnavën dhe me bashkëluftëtarët e tij të cilët, jo vetëm që ndihmuan të helmuarit, por edhe ndërmorën një aksion të gjerë kundër atyre që kryen këtë akt barbar”, tha Ajet Deliu, nxënës i asaj kohe.
Në kuadër të akademisë, u bë pajtimi mes dy familjeve të hasmëruara prej vitesh, njëra nga Podujeva dhe tjetra nga Ferizaj.