Profesoresha e Universitetit të Prishtinës dhe gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Remzije Istrefi, nderohet me Çmimin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut nga Universiteti i Teksasit.
Në një ceremoni solemne të mbajtur në përmbyllje të Samitit Global për Drejtësinë Kushtetuese, profesoresha e Fakultetit Juridik të UP-së, njëherësh gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, Remzije Istrefi u vlerësua me këtë çmim për kontributin e saj të çmuar në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut ndër vite.
Duke e vlerësuar punën dhe përkushtimin e znj.Istrefi, prof. Richard Albert, drejtor i Qendrës për Studime Kushtetuese-Globale në Universitetin e Teksasit, theksoi se “me punën dhe angazhimin e saj, znj.Istrefi është shndërruar në një zë të fuqishëm të një gjyqtareje grua, e cila angazhohet me përkushtim për të drejtat e njeriut”.
Gjatë fjalës së saj në ceremoni, znj. Istrefi theksoi se ky çmim nuk është vetëm një arritje individuale, por edhe një motivim i fuqishëm për të gjithë ata që kanë refuzuar të heshtin përballë padrejtësive.
“Ky çmim është një frymëzim për gratë dhe vajzat e vendit tim, Kosovës, historia e të cilave ka qenë shtysa ime kryesore për të arritur deri këtu”, u shpreh znj.Istrefi në cremoninë e pranimit të çmimit.