atsh
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha mori pjesë sot në promovimin e titujve të librave të autorit Adnan Merovci: “Një hap me Rugovën”, “Kështjella e (Mos) Marrëveshjes”, “Pengu” dhe kompleti prej 5 librave “Të Premtet”.
Në fjalën e tij Berisha u shpreh se ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova nuk ishte vetëm një lider, por edhe një misionar.
“Ibrahim Rugova është, në vlerësimin tim, një gjeni shqiptar në politikën evropiane dhe në politikën botërore. Është një gjeni i papërsëritshëm. Pasardhës i një familje atdhetare. Intelektual i klasit të parë. Ai angazhohet në çështjen e kombit dhe vendit të tij. Në mënyrë gjeniale, ai zgjedh një rrugë krejtësisht të huaj për shqiptarët. Të huaj për shumicën e kombeve të botës. Zgjedh rrugën paqësore për të mundur një pushtim”, tha Berisha.
Berisha theksoi se Rugova zgjodhi rrugën paqësore për të mundur një regjim.
“Kombet, ndaj pushtimeve, kanë pasur ose nënshtrim, ose përballje me armë. Ibrahim Rugova nuk zgjodhi as të parën dhe as të dytën, por zgjodhi qëndresën paqësore, me të cilën ai shtyu muret e kohës. Me të cilën ai në mënyrë më mahnitëse, ta quajmë “mrekullia Rugova”, ai arriti që një projekt, të cilin përveç atij, përveç shqiptarëve, nuk mbaj mend një të dytë që ta përkrahte, që ta mbështeste, t’i lëmë folkloret, pavarësinë e Kosovës nuk e mbështeste njeri, përveç atij”, theksoi Berisha.
“Imagjinoni për një moment të luftosh i vetëm dhe të gjithë kundër. Por përsëri, ai në këmbë. Pse në këmbë? Sepse kishte bërë një zgjedhje gjeniale, kishte bërë zgjedhjen paqësore”, tha më tej Berisha.
“Rugova nuk ishte vetëm një lider vizionar, por ishte i vetmi politikan që sa ç’ishte lider, aq ishte edhe misionar”, nënvizoi kreu i PD.
Berisha gjithashtu u shpreh se, “Ibrahim Rugova ia doli të ideojë dhe të realizojë ëndrrën e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi”.