Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga Gjykata Themelore e këtij qyteti, caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit për vrasjen e mbrëmshme të 19 vjeçarit në Vushtrri.
Sipas prokurorisë, i pandehuri e ka privuar me dashje nga jeta viktimën që mori së paku tri goditje nga arma e zjarrit.
“I pandehuri B.D., me datë 23 mars 2025 rreth orës 20:30 minuta në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri, me dashje e privon nga jeta viktimën me iniciale A.Z., ashtu që me armën e zjarrit tip pistoletë, e gjuan dhe e godet së paku tri (3) herë në trup, ku viktima si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit ndërron jetë në Repartin e Emergjencës në Spitalin e Vushtrrisë”, ka bërë të ditur prokuroria.
Sipas tyre i pandehuri gjatë marrjes në pyetje e ka pranuar kryerjen e veprës penale.
Seanca për caktimin e paraburgimit për të pandehurin do të mbahet pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë.