Dogana e Kosovës, ka shprehur falënderimin dhe mirënjohjen e saj për vlerësimin e dhënë nga Organizata Botërore e Doganave (WCO) për pjesëmarrjen aktive dhe kontributin në Operacionin TENTACLE 2024.
“Ky operacion ndërkombëtar, i fokusuar në luftën kundër krimit transnacional, trafikimit të paligjshëm dhe financimit të terrorizmit, ka luajtur një rol kyç në forcimin e sigurisë globale. Përmes veprimeve të koordinuara, shkëmbimit të informacionit dhe zbatimit të masave parandaluese, Dogana e Kosovës ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në identifikimin dhe ndalimin e rrjeteve kriminale”, njofton Dogana.
Ky vlerësim nga WCO është një dëshmi e punës së palodhshme dhe përkushtimit të Doganës së Kosovës për forcimin e integritetit, transparencës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar për të kontribuar në sigurinë kufitare dhe për të mbrojtur shoqërinë nga kërcënimet kriminale, duke bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë për një tregti të sigurt dhe të ligjshme.