Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci dhe deputetët e Kuvendit, Arbër Rexhaj, Artan Abrashi dhe Arjeta Rexhepi, bënë homazhe dhe vendosën lule te freskëta në kujtim të dëshmorit Vetim Shala, në përvjetorin e 36-të të rënies së tij.

 

Kryeministri kujtoi se në vitin 1989, kur u suprimua autonomia e Kosovës, shpërthyen demonstratat gjithandej Kosovës, e sidomos në Prishtinë, me ç’rast u vranë edhe të rinjtë tanë, studentë, në mesin e të cilëve edhe dëshmori Vetim Shala, i cili atë kohë ishte student i Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.

Duke përkujtuar dëshmorët, kryeministri tha se “ia kujtojnë vetes sonë edhe çmimin e lirisë, edhe idealin e dëshmorëve, por gjithashtu edhe rrugën që duhet të ndjekim për forcimin e shtetit, zhvillimin e ekonomisë, ngritjen e reputacionit të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve”.

Ai shtoi se asnjë brez i veprimtarëve nuk duhet t’i harrojë brezat e tjerë të veprimtarëve dhe të gjithë dëshmorët janë bashkë.

“Kosova sot është më e sigurt, më demokratike dhe më e mbrojtur e avancuar se kurrë më parë, prandaj, edhe nën dritën e amanetit të dëshmorëve, nuk na humbet asnjëherë as vullneti e as drita për udhën përpara për të mirën e brezit tonë, e të brezave që do të vijnë”, u shpreh kryeministri në Prizren.

Pas homazheve kryeministri Kurti vizitoi prindërit e dëshmorit Vetim Shala, Ramadan dhe Nurije Shala.