Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar se Kryetari i Odës, Lulzim Rafuna, ka realizuar një takim me kryetarin e Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Mendi Qyra, ku është diskutuar për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare mes bizneseve të të dyja vendeve.
Në njoftimin e Odës Ekonomike të Kosovës bëhet e ditur se në këtë takim është theksuar roli i diasporës si një faktor i rëndësishëm ekonomik, me potencial të madh për zhvillimin e tregut dhe investimeve në rajon.
Po ashtu, është diskutuar çështja e funksionalizimit të Gjykatës së Arbitrazhit në kuadër të Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, si një mekanizëm i rëndësishëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare dhe rritjen e sigurisë juridike për investitorët.
“Të dy kryetarët u dakorduan për organizimin e takimeve të rregullta dhe nxitjen e projekteve të përbashkëta që do të mbështesin zhvillimin ekonomik dhe integrimin më të gjerë të bizneseve në tregun rajonal”, theksohet në njoftim.