Sipas Gërvallës, këto raportime të këtyre mediave janë të pavërteta dhe shpifje. Në të njëjtën kohë, edhe kompania e sigurimit që është e kontraktuar nga RTK ka demantuar raportimet se atyre u është kërkuar nga menaxhmenti ndalimi i qasjes së punëtorëve.

Dy portale vendore, Reporteri dhe Periskopi, shkruan të mërkurën, me 2 prill, se drejtori i Televizionit publik të Kosovës, Rilind Gërvalla, kishte urdhëruar sigurimin e RTK-së që 5 punëtorëve të televizionit publik të mos u lejohej të hynin në studio për prezantim. Në këta artikuj ishte paraqitur edhe një letër me emrat e pesë punonjësve, të shkruar me shkrim dore. Drejtori i RTK TV-së Rilind Gërvalla thotë se ajo letër nuk është shkruar nga ai, dhe se pretendimet e paraqitura në artikujt e këtyre portaleve janë shpifje. Ai thotë se kërkuar nga këto mediume që t’i largojnë këta artikuj që përmbajnë të pavërteta.

“Kam kërkuar nga mediumet në fjalë që t’i largojnë këta artikuj, përmes së cilëve është përhapë një e pavërtetë, duke përdorë emrin tim, fotografinë time dhe të pavërteta, shpifje dhe aludime. Kam kërkuar që t’i largojnë tërësisht ata artikull, në të kundërtën jam i detyruar të marrë masa ligjore”, thotë Gërvalla.

Gërvalla ka sqaruar për publikun se bazuar në misionin e transmetuesit publik për të ruajtur profesionalizmin dhe besueshmërinë e programeve, është i ndaluar reklamimi i produkteve, shërbimeve, ose brendeve në rrjetet sociale për punëtorët e RTK TV-së.

Ndërkohë, gjatë ditës së enjte ka reaguar edhe kompania e Sigurimeve “Skyfterat”- e cila është e kontraktuar nga RTK për ruajtjen dhe sigurimin e perimetrit të jashtëm të objekteve – e cila ka demantuar ato që janë raportuar në Reporteri dhe Periskopi, se kjo kompani ka marrë urdhër nga menaxhmenti për ndalim të qasjes së punonjësve.

“Për hirë të së vërtetës dhe transparencës, ju njoftojmë që nuk kemi pranuar asnjë urdhëresë apo vendim për ndalim të qasjes së punonjësve nga Menaxhmenti apo Drejtori i Radio Televizionit të Kosovës, prandaj emrat e apostrofuar dhe të publikuar në Portale/Media online, përveç që janë të pa vërteta dhe të pa autorizuara, konsiderojmë që janë dashakeqe për imazhin dhe Kompaninë tonë”, thuhet në reagimin e Kompanisë.

Tutje në sqarim thuhet se kompania ka marrëveshje kontraktuale me Radio Televizionin e Kosovës, për ruajtjen dhe sigurimin e perimetrit të jashtëm të objekteve, e që rrjedhimisht nuk është nën përgjegjësinë e Personelit të Sigurimit Ndalimi i hyrjeve të Personelit në hapësirat e RTK-së.