Javën që lamë pas lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, takoi për konsultime drejtuesit e partive të komuniteteve joserbe në Kosovë. Ndërsa të martën kreu aktual i Kuvendit, Konjufca, do t`i presë në takim liderët e partive politike për ta diskutuar përgatitjen e seancës konstitutive të legjislaturë së nëntë e thirrur për datën 15 prill. Por, analistët paralajmërojnë rrezikun e jostabilitetit të gjatë, si dhe mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja.
Kosova vazhdon të mbetet pa institucione të reja, pavarësisht kalimit të disa javëve nga zgjedhjet parlamentare. Analistët politikë vlerësojnë se kjo zvarritje ka ardhur si pasojë e një rezultati që nuk i ka konvenuar asnjërës nga partitë politike dhe mungesës së vullnetit për kompromis.
Analisti politik, Artan Muhaxhiri, tha për televizionin se, një koalicion mes Vetëvendosjes, Nismës dhe pakicave është opsioni më realist, por sipas tij as ky nuk garanton stabilitet të plotë.
“Nëse nuk ndodhë ky opsion në mes të Lëvizjes VV-së dhe NISMËS atëherë do të shkojmë gjithsesi në zgjedhje të reja. Por në çdo skenar, në çdo model qeveria do të jetë jo stabile sepse presionet janë shumë të mëdha. Veçanërisht është çështja e dialogut, çështja e Asocialcionit”, tha Muhaxhir,.
Edhe analisti Arbnor Sadiku po konsideron se kualicionet janë të pashmangshme në këtë rast.
“Kjo a do të ndodhë mbetet të shihet pasi kemi parë bukur një rezistencë të partive opozitare veçanërisht së fundmi pas deklaratës që dha zotëri Kurti pas ditës së zgjedhjeve në mbrëmje” ,tha Sadiku
Njohësit e çështjeve politike janë të një mendimi se zgjedhja e presidentit do të jetë një sfidë më vete, ndërsa për të siguruar votat e nevojshme, do të duhet bashkëpunim me opozitën, diçka që sipas tyre aktualisht duket larg realitetit.
“Edhe zgjedhja e presidentit do të jetë një barrë e re sepse me këtë hendek pozitë-opozitë do të jetë shumë vështirë të gjendet një kandidaturë që do ti plotësojë kërkesën për 80 deputetë. Prandaj Kosovën e pret një periudhë e jostabilitetit të dukshëm dhe do të ketë pasoja edhe në dëmtimin edhe të funksionimit të institucioneve por edhe të imazhit institucional në përgjithësi?”, tha Muhaxhiri .
“I duhet për tema nacionale veçanërisht që të bashkëpunojë me opozitën që dhe ti bashkërendojë ato tema, në mënyrë që kur të vijë koha e presidentit opozita të mos jetë arrogante ta çojë vendin në zgjedhje por të krijojë atë kuorumin e nevojshëm që kërkohet për të kaluar te zgjedhja për shumicë të thjeshtë e presidentit me 61 vota në herën e tretë”, tha Sadiku.
Analistët po konsiderojnë se nga PDK, LDK e AAK nuk ka vullnet për një bashkëpunim me liderin e Vetëvendosjes, e kryeministrin në detyrë Albin Kurti derisa për t’u arritur kjo sipas tyre do të duhej një kompromis i jashtëzakonshëm.