Bëhet e ditur se ata diskutuan për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Bosnje dhe Hercegovinës, teksa të dy palët kanë shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për më shumë shkëmbime ndërmjet qytetarëve të dy vendeve.

“Aty u përmend dhe vendimi i Qeverisë së Kosovës për heqjen e njëanshme të vizave për qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës duke e mundësuar udhëtimin e tyre drejt Kosovës vetëm me letërnjoftim biometrik, sipas marrëveshjes për lëvizje të lirë nga Procesi i Berlinit.  Kryeministri Kurti gjatë bisedës veçoi rezultatet dhe politikat e Qeverisë në mbështetje sociale, përfshirë ndihmën për gratë, lehonat dhe fëmijët, si dhe në edukim dhe shëndetësi”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Kryeministrit.

Gjithashtu, bëhet e ditur se Kurti gjithashtu informoi myftiun  Kavazoviq rreth projekteve restauruese të shumë objekteve kulturore islame, duke përfshirë xhamitë dhe objekte të tjera fetare, si dhe për investimet e vazhdueshme në mbrojtje të trashëgimisë kulturore të Kosovës.