Përballja me Kinën është një nga prioritetet e politikës së jashtme të Presidentit Trump
Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për raportet e qytetarëve kinezë që marrin pjesë në operacionet ushtarake në Ukrainë nga ana e Rusisë, tha të martën një zëdhënëse e Departamentit të Shtetit.
“Është alarmante që ushtarët kinezë janë kapur”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce. “Kina është bashkëpunëtori kryesor i Rusisë në luftën me Ukrainën. Kina furnizon gati 80 për qind të mallrave me përdorim të dyfishtë që Rusia kërkon për të vazhduar luftën e saj.” Ajo përmendi pajisjet kineze të navigimit, gjysmëpërçuesit dhe komponentët për avionët. “Bashkëpunimi i vazhdueshëm midis këtyre dy fuqive bërthamore vetëm do të thellojë paqëndrueshmërinë ndërkombëtare”, shtoi Tammy Bruce.
Siç vërejnë analistët, informacioni për kapjen e qytetarëve kinezë të cilët, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, morën pjesë në operacionet ushtarake në anën e Rusisë, është deklarata e parë publike e Kievit për pjesëmarrjen e personelit ushtarak kinez në luftën në Ukrainë. Pekini zyrtar, i cili thekson marrëdhëniet e ngushta me Moskën, këmbëngul se nuk po e ndihmon Rusinë në luftën e saj me Ukrainën.
Përfaqësuesit e Kinës dhe Rusisë nuk kanë komentuar ende këto raporte.