Policia e Kosovës e ka arrestuar një të dyshuar për “shtytje në vetëvrasje dhe ndihmë në vetëvrasje” për rastin e gruas e cila vdiq të premten në lagjen Lakrishtë, pasi ra nga kati i shtatë i një ndërtese në Prishtinë.

 

Një person, të premten, pas rënies nga një objekt në lagjen Lakrishtë në Prishtinë ka ndërruar jetë. Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar mbrëmë, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Raportohet se viktima femër kosovare ka rënë nga kati i shtatë i ndërtesës. Një person mashkull  kosovar është arrestuar në cilësinë e të dyshuarit. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e PK-së.

Bëhet e ditur se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.