Të hënën, në Luksemburg, mbahet takimi i radhës i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian. Takimi fillon në mëngjes në orën 08: 00 dhe do të udhëhiqet nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.

Pikë kryesore e takimit do të jetë agresioni rus kundër Ukrainës, derisa  ministrave të Jashtëm të BE-së do t’u drejtohet përmes një videokonference, ministri Jashtëm i Ukrainës, Andrij Sybiha.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, gjithashtu, do të diskutojnë edhe raportet me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

Sipas agjendës së publikuar në faqen zyrtare të Këshillit Evropian, paraprakisht, të dielën më 13 prill, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, do të ketë një darkë pune me 6 ministrat e Jashtëm nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Në një darkë pune, ministrat e BE-së do të diskutojë lidhur me bashkëpunimin e mëtejshëm me partnerët nga Ballkani Perëndimor”, theksohet në agjendën e takimeve zyrtare të Këshillit Evropian.

“Vendet partnere të Bashkimit Evropian nga Ballkani Perëndimor janë: Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Bashkimi Evropian mbështet perspektivën evropiane të vendeve partnere nga Ballkani Perëndimor. Shumë prej tyre tashmë janë në rrugë për t’u bërë anëtare të Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e reja anëtare”, theksohet në faqen e Këshilli Evropian.

Sipas agjendës, të hënën,  në rend dite të ministrave të Jashtëm të BE-së do të jetë edhe gjendja në Lindjen e Afërt, përfshirë krizën humanitare në Gaza dhe situatën në Siri. Gjithashtu, në rend dite janë edhe marrëdhëniet e BE-së me vendet afrikane.