Ai, në një shkrim në ‘Facebook’, ka kujtuar me krenari luftëtarët e rënë më 12 dhe 13 prill 1999, duke përmendur me emër dëshmorët që u përjetësuan në këto ditë: Ismet Bicaj, Skënder Maraj, Xhafer Mehmetaj, Izet Shatri, Nezir Mujaj, Bujar Visoqi, Abedin Dervishaj, Smajl Fetahaj, Xhafer Haskaj, Sylë Çeta, Qazim Hakaj, Nexhmedin Hakaj, Sami Gashi dhe Njomëza Lipaj.

“Brigada 133 ‘Adrian Krasniqi’ e Zonës Operative të Dukagjinit, që nga themelimi i saj, ishte shtyllë e fortë e luftës për liri. Me trimërinë dhe betejat e saj, ajo nderoi emrin e heroit Adrian Krasniqi dhe gjithë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

Në këtë përvjetor, Haradinaj nderoi edhe dëshmorin e kombit Ekrem Dili, i cili ra në mbrojtje të territorit dhe popullatës, duke u bërë pjesë e përjetshme e lavdisë kombëtare.

“Po atë prill të vitit 1999, për disa ditë me radhë, mbi fshatin Lubizhdë të Hasit u krye një nga mizoritë më të rënda të luftës. Mbi 40 shqiptarë, shumica të rinj në moshë, u ekzekutuan mizorisht nga forcat serbe. Ky akt barbar mbetet një plagë e thellë dhe një kujtesë e përhershme për çmimin e lirisë sonë”, shkroi ai.

Haradinaj përfundoi duke theksuar se liria erdhi disa muaj më pas, por sakrifica e të rënëve mbetet frymëzim për të ndërtuar një Kosovë të fortë e të mirëqenë, ashtu siç e kishin ëndërruar ata.