Malisheva ka shënuar fitore ndaj liderit të tabelës, Dritës, me rezultat minimal 1-0 në kuadër të Javës së 28-të të Superligës së Kosovës në futboll. Ndërkohë, në një tjetër përballje të javës, Gjilani është mposhtur në shtëpi nga Llapi me rezultat të ngushtë 2-3.
Në Malishevë, në stadiumin “Liman Gegaj”, goli i vetëm i ndeshjes është shënuar nga Besnik Ferati në fundin e pjesës së parë, duke i siguruar tri pikë skuadrës vendase.
Ndërsa në një sfidë të mbushur me gola dhe emocione në Gjilan, ani se pjesa e parë është mbyllur pa gola, në pjesën e dytë është zhvilluar një lojë më dinamike, ku janë realizuar plot pesë gola.
Basa ka kaluar Gjilanin në epërsi në minutën e 63-të, mirëpo mysafirët kanë reaguar shpejt me golin e barazimit nga Tahiri në minutën e 72-të.
Hasani e ka përmbysur rezultatin për Llapin në minutën e 78-të, por vendasit e kanë barazuar në minutën e 86-të.
Megjithatë, në kohën shtesë, ishte sërish Tahiri që ka shënuar për fitoren dramatike të skuadrës së trajnerit Tahir Batatina.
Pas këtyre ndeshjeve, tabela e Superligës vazhdon të kryesohet nga Drita me 60 pikë, e ndjekur nga Ballkani me 50 pikë dhe Malisheva në vendin e tretë me 47 pikë. Gjilani gjendet në vendin e pestë me 38 pikë, ndërsa Llapi ngushton diferencën në vendin e tetë me 33 pikë.