Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, pas regjistrimit si deputet në Kuvendin e Kosovës tha se në parim do ta votojnë kryetarin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa AAK-ja angazhohet për krijimin e qeverisë nga opozita.
“Konstituimi i Kuvendit është interes i të gjithëve. Do të konsultohemi edhe me PDK-në dhe LDK-në. AAK-ja angazhohet që qeverinë ta krijojë opozita në rast se partia e parë nuk e krijon atë”, tha Haradinaj.
Sa për marrëdhëniet me Nismën Socialdemokrate, kryetari i AAK-së tha se nëse NISMA e mbështet pushtetin atëherë ndahet nga AAK-ja dhe se veprimi i kësaj partie është i turpshëm.
“Nuk kemi komunikim qysh nga intervista e fundit e famshme e zotit Limaj. Veprimi i Nismës dhe Limajt është veprim mjaft i turpshëm, sepse kemi shkuar bashkë në gjithë vendin kemi kërkuar votë për ndryshim edhe me u sjell në mënyrë të këtillë nuk është në rregull”, tha Haradinaj.
I pyetur se a kanë kushte si AAK për opozitën apo për pozitën, Haradinaj tha se për Vetëvendosjen kemi kërkesë që të dalin në opozitë kurse për opozitën tha se nuk kanë asnjë kusht.