Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Kamberi e ka quajtur këtë emërim “një goditje e rëndë për çdo shqiptar që ka vuajtur, rezistuar dhe sakrifikuar për të drejtat e veta në Serbi”.

“Ky emërim është jo vetëm politikisht i papranueshëm, por edhe moralisht i turpshëm. Sepse Demo Beriša nuk është një përfaqësues i të drejtave të njeriut, por një simbol i mohimit të identitetit kombëtar dhe politik të shqiptarëve të Kosovës dhe të Luginës së Preshevës. Siç dëshmojnë pamjet, deklaratat dhe intervistat publike, Demo Beriša është një ish-oficer i ushtrisë serbe, pjesë e strukturave që kanë qenë të përfshira në krime të luftës në Kosovë”, ka shkruar Kamberi në Facebook.

Ai thekson se Demo Berisha “nuk është një përfaqësues i të drejtave të njeriut”, por një ish-oficer i ushtrisë serbe, “pjesë e strukturave që kanë qenë të përfshira në krime të luftës në Kosovë”.

“Edhe pse thotë se është nga Peja, ai publikisht deklaron se atdheu i tij është Serbia, se Kosova është “Kosova e Metohisë” dhe mohon ekzistencën e Republikës së Kosovës. Jo vetëm kaq – ai është themelues i një organizate me emër serb, “Matica Albanaca Srbije,” ku mbrohet trashëgimia e bashkëpunëtorëve të Serbisë në periudhat më të errëta të historisë sonë, madje edhe Esat Pashë Toptani, i njohur për tradhti ndaj kombit shqiptar”, shtoi Kamberi.

Në këtë reagim, ai e krahasoi Demo Berishën me Faik Jasharin, pjesëmarrës në delegacionin e Serbisë në Rambuje, duke e quajtur atë “Faik Jašari 2.0”. “Ai është simbol i një të kaluare që ka përfunduar… një figurë e harresës dhe disfatës, figurë kuislinge”.

“Ndërsa Demo Beriša, i cili ndan të njëjtën ideologji me Jašarin – që Kosova është Serbi dhe shqiptarët duhet të nënshtrohen nën këtë realitet – po promovon këtë frymë si “shqiptari model” për Serbinë.  Ai shfaqet në intervista duke mohuar NATO-n, duke përkrahur narrativën serbe për luftën dhe duke u paraqitur si përfaqësues i shqiptarëve në Serbi. Ai është përdorur dhe po përdoret si një mjet propagandistik për të legjitimuar narrativën se shqiptarët janë të integruar dhe të kënaqur në Serbi – për sa kohë që ata mohojnë Kosovën dhe i binden Beogradit”, tha tutje Kamberi.

Sipas tij Demo Berisha nuk i përfaqëson shqiptarët, por një version të të instrumentalizuar për interesa të politikës serbe, sikurse disa tjerë në periudhën e Millosheviqit.

Sipas Kamberit propozimi i Berishës si ministër nuk është për të drejtat e njeriut, por për vazhdimin e një politike që do të shuajë zërin e shqiptarëve të vërtetë në Serbi, sikurse përfaqëson edhe një fyerje për të gjitha pakicat tjera në Serbi, që përbëjnë 20 përqind të popullatës së këtij shteti.

“Prandaj, ky emërim nuk duhet të kalojë pa reagim – as nga shqiptarët e Luginës, as nga institucionet në Prishtinë, as nga Tirana zyrtare dhe as nga faktori ndërkombëtar. Heshtja ndaj këtij absurdi është bashkëfajësi”, ka përfunduar Kamberi.