Policia e Kosovës ka sekuestruar pesë armë zjarri dhe municione, të gjitha të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm brenda një jave në rajonin e Prishtinës.
Sipas Policisë, gjatë javës së kaluar në lokacione të ndryshme dhe aksione të ndara, janë realizuar 199 urdhëresa të gjykatës.
Prej tyre thuhet se 53 urdhëresa janë për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca, verifikime etj.
“Në përputhje me urdhëresat, pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë, janë liruar, pasi të njëjtit kanë kryer obligimet e caktuara në urdhëresa”, thuhet në njoftim.
Në po të njëjtën periudhë kohore, Policia njofton se ka shqiptuar 4433 masa administrative me gjobë për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të kodit rrugor, prej tyre 826 të evidentuara nga vetura intelegjente dhe vetura me radar mobil.