Qeveria në detyrë e Kosovës sot ka mbajtur mbledhje elektronike në të cilën i është zgjatur mandati Komisionit qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Mandati i këtij komisioni është zgjatur deri më 15 maj 2028, ndërsa afati për të parashtruar kërkesën për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës është zgjatur deri me 15 maj 2027.
“Sipas këtij plotësim-ndryshimi pika 2 e Vendimit Nr. 06/143 të datës 28.04.2017, zëvendësohet si në vijim: “Mandati i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës është deri më 15 maj 2028. Pas pikës 2. të Vendimit të cekur më lartë shtohet pika 2.a. me tekst si në vijim: ‘Afati për të parashtruar kërkesën për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës zgjatet deri me 15 maj 2027. Pika 1.6 e Vendimit të Qeverisë Nr. 16/48 të datës 7.12.2020 zëvendësohet me këtë tekst: ‘znj. Kimete Haxholli, Udhëheqëse e Divizionit për Përpunim dhe Arkivim në IKKL'”, thuhet në njoftimin e ekzekutivit.