“Termokos” ka njoftuar për përfundimin e furnizimit me ngrohje për sezonin ngrohës 2024-2025. Në njoftimin e lëshuar nga kjo ndërmarrje thuhet se vendimi është marrë në harmoni me rregulloren e ZRRE-së dhe i bazuar në kushtet aktuale klimatike.
Sipas njoftimit, në këtë sezon janë prodhuar 10 për qind më shumë energji termike sesa në sezonin e kaluar.
“Është ky edhe një sezon tjetër nga më të suksesshmit, gjatë të cilit është ofruar ngrohje e mjaftueshme dhe cilësore përgjatë 181 ditëve për mbi 25 mijë konsumatorë të kyçur në rrjetin e ngrohjes. Gjatë sezonit ngrohës 2024/2025 janë prodhuar 362,520 MWh energji termike apo 10% më shumë se sezonin e kaluar, kur nga KEK-u ishin ekstraktuar 329.617 MWh energji, ndërsa janë liferuar 307 GWh energji termike, që në raport krahasues me sezonin e kaluar ka një rritje prej 11 për qind më shumë energji të liferuar”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, thuhet se gjatë këtij sezoni për herë të parë ka filluar zbatimi i metodës së re të faturimit, sipas shpenzimit, kur mbi 12 mijë konsumatorë, që i kanë të instaluara pajisjet matëse janë faturuar sipas konsumit.