Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër F. H. për “keqpërdorim të pozitës zyrtare” dhe “marrje të ryshfetit”.
I pandehuri dyshohet se ia ka marrë 150 euro E. B. që t’ia rregullojë dy dokumente që më pas t’i marrë shtesat për lehoni të bashkëshortes.
“Sipas pikës I të dispozitivit të aktakuzës, ndër tjera cekët se i pandehuri F.H., me datë 05.03.2025, dhe dt.27.03.2025, në cilësinë e personit zyrtar të zyrës së Q.P., në Gjakovë, me qëllim përfitimi ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, duke i tejkaluar kompetencat e tij zyrtare me qëllim përfitimit për vete apo personin tjetër duke i shkaktuar dëm të dëmtuarit E.B., ashtu që me dt.05.03.2025, pasi i njëjti kishte shkuar dhe ishte interesuar në Q.P., në Gjakovë, për rregullimin e dokumenteve për pagesë të lehonisë për bashkëshorten, i pandehuri i thotë se dy dokumente nuk i ke në rregull dhe për rregullimin e dokumenteve duhet të mi japësh 150 euro, dhe këto pasi paratë të dalin në konto, në këtë mënyrë më pas i pandehuri me të qenë në njohuri për datën se kur dalin paratë nga Ministria për lehonat, e ka thirr në telefon të dëmtuarin me dt. 25.03.2025, dhe e pyet se a të kanë dalë parat, dhe pasi i njëjti i thotë se nuk e di, atëherë i pandehuri i ka kërkuar që të takohen dhe të shkon të e merr vendimin, ashtu që me të u takuar me dt.28.03.2025, në Q.P., në Gjakovë, rreth orës 15:40 min, i pandehuri e ka dërguar të dëmtuarin në zyre ku ja merr paratë prej 150 euro, dhe më pas ia jep vendimin për pagesën e pushimit të lehonisë dhe me pas arrestohet në zyre nga zyrtarët policor” thuhet në njoftimin e Prokurorisë në Gjakovë”, thuhet në njoftimin e kësaj prokurorie.
Me këto veprime Prokuroria Themelore në Gjakovë thotë se i pandehuri ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Sipas pikës II të dispozitivit të aktakuzës, ndër tjera cekët se i pandehuri F.H., nga data 05.03.2025, deri me dt.27.03.2025, në cilësinë e personit zyrtar të zyrës së Q.P., në Gjakovë, me qëllim përfitimi për vete në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka kërkuar të dëmtuarit E.B., për rregullimin e dokumenteve të lehonisë për bashkëshorten e tij, shumën e parave prej 150 euro, ashtu që pasi kanë komunikuar me telefon dhe me datë.28.03.2025, ka shkuar rreth orës 15:40 min, i dëmtuari tek i pandehuri, i njëjti e ka dërguar në zyrë dhe ja ka marrë 150 euro, më pas ia ka dhënë vendimin ashtu që me të u larguar i dëmtuari nga zyra dhe me të dal jashtë objektit të Q.P., i pandehuri është kontrolluar nga NJKEK në Gjakovë, ku ka rezultuar me gjetjen e shumës prej 150 euro, në portofol të cilat para ishin përdorë në zbatim të masave të veçanta hetimore”, thuhet tutje në njoftimin e kësaj prokurorie.
Me këto veprime Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë me dije se ai ka kryer veprën penale “marrja e ryshfetit”.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë, si dhe t’i shqiptohet dënimi plotësues: ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik.