Ministri në dorëheqje  i Kulturës, Hajrullah Çeku, tha se ky memorial bëhet në përkujtim të të rënëve të betejës së 17 korrikut 1998, e që do të shërbejë si simbol i luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ruajtjes së kujtesës historike për brezat e ardhshëm.

“Për këtë vendim kemi bashkëpunuar me Ministrinë e Bujqësisë dhe me Agjencinë e pyjeve në mënyrë që zonat ku u zhvillua kjo betejë ti jepet ministrisë së kulturës, ndërsa agjencia e memorialëve në ditët në vijim do ta vazhdojë procedurën sipas ligjit për ndërtimin e këtij memoriali shumë të rëndësishëm”, tha ai.

Çeku njoftoi edhe për nënshkrimin e marrëveshjes të cilën e kanë nënshkruar dje mes Federatës Evropiane dhe Federatës Kosovare të I-sports, ai theksoi se organizimi i ngjarjeve ndërkombëtare sportive në vend vazhdon të mbetet prioritet i qeverisë në detyrë e sipas tij kjo bëhet si zhvillim i kapaciteteve për përgatitjen e lojërave mesdhetare ‘Prishtina 2030’.

Çeku, përmendi punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, rrugën “Rexhep Luci”, “Ishullin Urban” dhe projektin në rrugën “Agim Ramadani”.

“Të gjitha këto kontrata janë të lidhura kundërligjshëm, duke mos i respektuar procedurat e nevojshme për pajisje me leje dhe pëlqime të nevojshme. Të gjitha këto investime realizohen brenda zonave të mbrojtura të trashëgimisë kulturore dhe ligji kërkon që para se të shpallen procedurat e të lidhen kontratat, duhet të pajisen me pëlqime përkatëse nga autoritetet përkatëse”, tha ai.

Sipas Çekut kjo është një nga shkeljet dhe shtoi se shkelja e dytë është se “ka përsëritje të metodave të veprimeve nga Komuna”.

Ai ka thënë se Ministria dyshon dhe është e bindur që ka parregullsi të theksuar në lidhjen e kontratave.

“Deri tash janë shkaktuar disa milionë euro dëm nga buxheti i Komunës si rezultat i këtyre kontratave të kundërligjshme dhe ne pretendojmë se komuna e bën këtë veprim qëllimshëm, me paramendim dhe për këtë arsye i jemi drejtuar prokurorisë dhe policisë”, ka thënë ai.