Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë u shpreh se kërkesa e opozitës është insistim i pa matur për të lënë shtëpinë pa zot shtëpie. Ai tha se kabineti qeveritar ka dhënë dorëheqje dhe se qeveria është në detyrë.
Kurti shtoi se Ligji për Qeverinë e bënë të qartë se një qeveri në dorëheqje vazhdon të ushtrojë përgjegjësit e saj deri në zgjedhjen e qeverisë së re, dhe theksoi se mbledhja e sotme dhe ushtrimi i kompetencave tjera qeveritare janë plotësisht të lejueshme madje edhe të detyrueshme sipas ligjit, citoi Kurti.
“Ne kemi funksione të kufizuara, po nuk mund të ketë asesi ndalim funksionimi. Shteti s’mund të ketë vakuum qeverisje. Qeveria s’mund të ketë ndalesë funksionimi”, ka shtuar Kurti, teksa ka marrë si shembull zgjedhjen e ish-kryeministrave Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj që kanë vazhduar për disa muaj rolin e kryeministrit në dorëheqje.
“Gjithashtu e kemi shembullin e ish-kryeministrit Hoti, i cili mbeti në detyrë deri në formimin e Qeverisë Kurti 2 në mars të vitit 2021, përkundër faktit që qeveria e tij u shpall e jashtëligjshme nga Gjykata Kushtetuese në dhjetor të vitit 2020. Pra në historikun tonë të formimit të institucioneve, kemi shembuj nga e kaluara kur një qeveri e udhëhequr nga PDK – ndonëse me kuvend të shpërndarë -, një qeveri e udhëhequr nga AAK, ndonëse e dorëhequr, dhe një qeveri e udhëhequr nga LDK, ndonëse e shpallur si e jashtëligjshme, kanë qëndruar në detyrë deri në formimin e qeverisë së re. Por një qeveri e udhëhequr nga Lëvizja VETËVENDOSJE! ndonëse ka përmbushur mandatin e saj të rregullt katërvjeçar na u dashka të largohet nga zyrat e saj një orë e më parë?!”, tha Kryeministri në dorëheqje.
Kurti: Konstituimi i Kuvendit u pamundësua nga opozita dhe Lista Serbe
Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, tha se konstituimi i Kuvendit dje u pamundësua sepse partitë opozitare PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe nuk votuan për verifikimin e mandateve të tyre si deputetë.
“Në thelb ata që nuk pranuan që formalisht ta marrin mandatin e deputetit po kërkojnë nga unë që formalisht të mos jem kryeministër”, tha Kurti, raporton RTKLive.
Ai shtoi se kabineti qeveritar është në detyrë dhe efektivisht i dorëhequr që nga 23 marsi i këtij viti, kur sipas tij është përmbushur mandati i rregullt dhe i plotë katër vjeçar.
“Nga ajo ditë e deri në zgjedhjen e qeverisë së re nga legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës, qeveria jonë ushtron të gjitha përgjegjësit që i takojnë pushtetit ekzekutiv në përputhje me legjislacionin në fuqi”, tha ai.
Sipas tij kjo e vendos qeverinë në një rol kujdestar për të garantuar vazhdimësinë, sigurinë dhe funksionimin e pa ndërprerë të shtetit në zbatim të kushtetutës dhe të ligjeve të republikës.
Ai tutje tha se në emër të kabinetit, përmes një letre, ka njoftuar Kuvendin për statusin e qeverisë pas datës 23 mars 2025 dhe për dorëheqjen e tij nga posti ekzekutiv efektiv nga ajo datë dhe sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.
“Më shumë se kaq nuk është e mundur të jepet dorëheqje, më shumë se kaq do të ishte braktisje e institucionit, do të ishte vakum institucional, pa përgjegjësi politike dhe rrezikim i sigurisë kombëtare,” tha Kurti.