Përmes një reagimi zyrtar, PSD ka deklaruar se arrestimi i Molliqajt është bërë pa asnjë ftesë paraprake nga gjykata, ndonëse ai, sipas partisë, është në përditshmëri të rregullt dhe i qasshëm në çdo kohë.

“Ky arrestim është totalisht jashtë çdo racionaliteti. Përderisa nuk ka marrë as ftesë nga gjykata dhe në të njëjtën kohë çdo ditë është në rutinën e tij dhe mund të gjindet lehtësisht, kjo sjellje nuk mund të lexohet ndryshe përveç se presion politik dhe demonstrim force nga një njësi e krijuar për situata emergjente dhe të rrezikshme, jo për të ndaluar opozitën politike,” thuhet në reagimin e PSD-së.

Partia shpreh dyshime për mënyrën selektive se si po trajtohen rastet që përfshijnë anëtarët e saj, duke e cilësuar këtë si një përpjekje të qëllimshme për të goditur PSD-në, pavarësisht se një numër i madh rastesh janë të përbashkëta me anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Prioriteti dhe zelli në të cilin janë vendosur anëtarët e PSD-së për ‘shqyrtim rastesh’ lë dyshime se kjo po ndodhë qëllimshëm, meqë një numër të madh rastesh e kanë së bashku me anëtarët e VV-së, duket që mësyrja është kryesisht ndaj PSD-së,” thuhet më tej.

PSD thotë se veprime të tilla nuk do ta ndalin aktivitetin e saj politik dhe opozitar.

“Arrestime të tilla nuk na ndalin, vetëm e bëjnë më të qartë për të gjithë kush ka frikë nga organizimi politik. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Dardan Molliqajt,” përfundon reagimi.