Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është arrestuar një person nën dyshimin për fajde, armëmbajtje pa leje dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve.
Policia njofton se rasti ka ndodhur në Suharekën, ndërsa gjatë kontrollit të shtëpisë, banesës dhe objekteve përcjellëse, janë sekuestruar dy pistoleta, municion, veturë e narkotikë.
“DHKR me DHTN në bashkëveprim me Prokurorin Themelore Prizren kanë kontrolluar shtëpinë–objektet përcjellëse, automjetin dhe një banesë me qira e të dyshuarit mashkull kosovar, me ç ‘rast si prova materiale janë gjetur dhe konfiskuar: dy pistoleta, dy karikator me 9 copë fishekë, një armë automatike me 81 copë fishekë, një automjet, 1 kg e 57 gram narkotikë të llojit marihuanë, një peshore elektronike, dy grinder, dhe dy telefona mobil”, thuhet në njoftim.
Policia thekson se i pandehuri dyshohet edhe për fajde, i njëjti u arrestua dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.