“Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” ka njoftuar se dje është lajmëruar policia për një rast në këtë spital në orët e pasdites. Sipas tyre ekipi kujdestar i mjekëve, ka vërejtur një objekt me pamje të ngjashme me granatë dore, i vendosur mbi kulmin e stacionit të oksigjenit, në hapësirat e spitalit.

 

Në njoftim thuhet se për të garantuar sigurinë e stafit dhe pacientëve, menjëherë është njoftuar Policia e Kosovës, e cila ka reaguar me shpejtësi dhe ka arritur në vendin e ngjarjes.

Me këtë rast, pas vlerësimit fillestar, Policia ka thirrur njësitin e deminimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili ka ndërhyrë në mënyrë profesionale.

Pas verifikimeve të kryera, është konstatuar se objekti në fjalë ishte një “lodër për fëmijë- në formë granatë të dorës” dhe nuk paraqiste asnjë rrezik për sigurinë publike.

“Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” shpreh mirënjohje të thellë për Policinë e Kosovës dhe ekipin e FSK-së për reagimin e menjëhershëm dhe ndërhyrjen profesionale. Ftojmë qytetarët për qetësi dhe mirëkuptim, duke theksuar se situata është menaxhuar me kujdes dhe pa rrezik për stafin apo pacientët”, thuhet tutje në njoftim.