IPK-ja ka njoftuar se ka marrë informata të dielën nga një qytetar që ka pretenduar se dy policë të njësisë rajonale të trafikut rrugor në Pejë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

“Hetuesit e IPK-së kanë marrë informata se policët e kishin ndaluar qytetarin në një pikë kontrolli dhe për të mos i shqiptuar gjobë i kanë kërkuar një shumë monetare. Pas veprimeve paraprake hetimore të kryera nga hetuesit e IPK-së, janë arrestuar dy zyrtarët policorë me dyshimin  se kanë kryer veprën penale ‘Marrja e ryshfetit’ dhe të njëjtëve me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, ka njoftuar IPK-ja.

IPK-ja ka thekseksuar se ka rekomanduar Policinë e Kosovës që t’i suspendojë dy zyrtarët policorë.

“Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente. IPK falënderon të gjithë qytetarët për bashkëpunim duke mbetur e përkushtuar drejt fuqizimit të integritetit në radhët e policisë”, ka theksuar IPK-ja.