Profesor Domi ishte veteriner i gjeneratave të para, profesor i mikrobiologjisë dhe një nga themeluesit e Fakultetit të Veterinarisë në Kosovë.

Gjatë dekadave të tij në arsim, ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në edukimin e brezave të rinj dhe në ngritjen e standardeve akademike në fushën e veterinarisë. Ai mbetet një emër i paharruar në historinë e arsimit dhe shkencës veterinare në vendin tonë.

Përtej profesionit, profesor Domi u dallua edhe për angazhimin në çështjet kombëtare. Si oficer rezervë, ai ishte pjesë e organizimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës në vitin 1992, duke dëshmuar përkushtim të madh ndaj lirisë dhe të ardhmes së vendit.

“Në emër të Odës së Veterinerëve të Kosovës, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve, studentëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të. Lavdi jetës dhe veprës së profesorit Xhevat Domi! Pusho në paqe, profesor i nderuar!”, thuhet në telegramin e nënshkruar nga DMV. Hasan Limani, Kryetar i Odës.
Varrimi i profesorit Xhevat Domi do të bëhet nesër, më 21 prill 2025, në varrezat e Arbërisë (Dragodan) në Prishtinë, në ora 11:00.