Bajrami theksoi se ndërprerja e seancës, ndonëse ndodhej në proces votimi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, përbën shkelje të rregullores, pasi procedura ka qenë e qartë – subjekti fitues kishte të drejtën të propozonte kandidatin dhe më pas të votohej menjëherë për të.

“U shkel edhe një herë rregullorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës për faktin se ishim në një proces të votimit dhe krejt çfarë ishte e autorizuar sipas rregullores LVV, në këtë rast si fituese e zgjedhjeve ishte që të propozonte emrin për kryeparlamentar. Ishte dashur që të procedohej me emër dhe menjëherë më pas me votim. Paralelja që po e tërheq LVV gjithashtu edhe zoti Konjufca, që po thotë se janë dy gjëra të njëjta sikurse rasti i nënkryetarëve dhe Kryetarit të Kuvendit nuk është aspak e saktë, për shkak se kryetari i Kuvendit përfaqëson Kuvendin e Republikës së Kosovës, ndërkohë që nënkryetarët janë përfaqësues të grupeve politike dhe kjo është arsyeja pse ata votohen në pako”, tha ajo.

Ajo kritikoi kërkesën për kohë shtesë nga LVV, duke thënë se ajo nuk shoqërohet me ndonjë gatishmëri reale për kompromis.

“Ata apriori insistojnë se nuk do ta ndryshojnë emrin e kandidates dhe në të njëjtën kohë insistojnë në atë që është e drejtë e tyre. Në anën tjetër gjithashtu kërkojnë nga deputetët që ata të votojnë sipas vullnetit të LVV-së dhe jo sipas vullnetit të tyre, kjo veç vullnet për marrëveshje politike nuk është. Sepse kur dy palë ulen për të bërë marrëveshje politike natyrisht se duhet të dëgjohen palët çfarë po kërkojnë, kurse ju keni dëgjuar një subjekt politik i cili ka problem me kandidaturën. Sikur këta të ishin të interesuar për marrëveshje politike do të uleshin me këtë subjekt se cili është emri i pranueshëm”, tha tutje Bajrami.

Ajo tha se si LDK nuk kanë votë as për zonjën Haxhiu as për ndonjë kandidat tjetër.

“Përgjegjësia është e partisë fituese, Ata duhet të ulen të bisedojnë me partitë politike. Është një parti politike që ka deklaruar se i ka të pranueshëm dy emra. Ju e dëgjuat Hekuran Muratin i cili tha që LVV nuk heq dorë nga kandidatura e njëjtë të cilën e kanë propozuar. Nuk po flitet për kurrfarë marrëveshje. Bllokuesit e vërtet në këtë rast janë LVV”, shtoi deputetja e LDK-së.