Aksioni u zhvillua në lagjen Veternik dhe përgjatë rrugës Shkupi në Prishtinë.

Në këtë aktivitet morën pjesë dhjetëra vullnetarë nga organizata, studentë të Kolegjit Heimerer dhe përfaqësues të FKGK-së, duke kontribuar për një ambient më të pastër dhe më të shëndetshëm për të gjithë.

Nën moton ndërkombëtare të këtij viti “Fuqia ime, planeti im”, ky aksion sipas tyre, synon të rrisë ndërgjegjësimin qytetarë për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe të theksojë lidhjen e drejtpërdrejtë mes një mjedisi të pastër dhe mirëqenies së përgjithshme shëndetësore.

Luan Hasanaj nga organizata “Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën”, tha se është koha që institucionet të ndërmarrin hapa karshi kësaj dukurie.

“Ne kaq mund të bëjmë, roli ynë është të mobilizohemi por u takon institucioneve që të bëjnë zgjidhjen, për t’i përkrahur kompanitë që merren me pastrimin dhe hartimin e politikave të cilat stimulojnë riciklimin”, theksoi ai.

Dita e Tokës, që shënohet çdo vit më 22 prill, është një nga datat më të rëndësishme globale që promovon mbrojtjen e mjedisit dhe veprimin konkret kundër ndotjes, ndryshimeve klimatike dhe shfrytëzimit të paqëndrueshëm të burimeve natyrore. Kjo ditë mobilizon miliona njerëz në mbi 190 vende të botës për të marrë pjesë në aksione, edukim dhe avokim për një të ardhme të gjelbër.