“Largimi i tij ka prekur zemrat tona – një bari i përvuajtur dhe i guximshëm që udhëhoqi Kishën jo nga fron i lartë i Pontifikatit, por nga thellësia e zemrës së përulur njerëzore,” shkruan Ipeshkvi Gjergji, duke theksuar se Papa Françesku nuk mbajti skeptrin e pushtetit, por shkopin e barinjve të mirë, dhe gjuha e tij “nuk ishte shpatë që ndante, por pupël që ngushëllonte dhe shëronte plagët e një bote të lënduar”.

Ipeshkvi falënderon Hyjin për dhuratën e një Papë të jashtëzakonshëm dhe i fton besimtarët të kujtojnë lutjet dhe dashurinë e tij të përulur për njerëzimin, duke ndjekur shembullin e tij si dishepull i vërtetë i Jezus Krishtit.

Në letër njoftohet gjithashtu se:

Nga 24 deri më 26 prill, do të jetë i hapur Libri i Ngushëllimeve në zyrat e Dioqezës (pranë Kon-katedrales Shën Nënë Tereza).

Më 27 prill do të mbahet E kremtja e Jetës Hyjnore në të gjitha kishat famullitare.

Më 28 prill, ora 11:00, do të kremtohet Meshë për shpirtin e Papës Françesku në Kon-katedralen në Prishtinë, me praninë e autoriteteve dhe përfaqësuesve diplomatikë.

Në fund, Ipeshkvi e përmbyll letrën me lutjen: “Epja, o Zot, pushimin e pasosun. E shndritë drita e pamarueme! Pushofsh në paqe! Amen.”