Qytetarët e Prishtinës kanë rënë në dilemë për pagesat e mbeturinave, kjo pasi ka një mosmarrëveshje në mes të Komunës së Prishtinë dhe ndërmarrjes publike “Pastrimi”. Palët nuk kanë arritur të merren vesh, ndërkaq qytetarët janë skeptikë se këto obligime që i kryejnë janë duke i kryer në institucionin përkatës.
Pagesat për mbeturina i paguan, por qytetarët u shprehën konfuzë me atë se ku duhet të kryhet pagesa.
Selatin Kaçaniku nga organizata joqeveritare “Konsumatori” kërkoi që ndaj konsumatorëve të ketë trajtim të dinjitetshëm dhe sqarim lidhur me pagesat.
Profesori dhe njohësi i financave publike, Sabri Kadriu, tha se çështja e pagesave duhet të bëhet në bazë të një dokumenti që bazohet në ligj .
RTK ka provuar të marrë një deklaratë nga kryeshefi i kompanisë “Pastrimi”, por nga kompania thanë se e kanë të pamundur të përgjigjen sot.
Ndërkaq në reagimin e fundit, KRM Pastrimi ka kërkuar ndërhyrjen e organeve hetimore, për siç ka thënë, veprimet e jashtëligjshme të Komunës së Prishtinës, derisa shprehu shqetësimin lidhur me siç thanë nga kompania, veprimet e fundit të Komunës së Prishtinës, e cila në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë bazë ligjore, po i njofton qytetarët që pagesat për shërbimet e pastrimit të bëhen në Komunë dhe jo pranë ndërmarrjes siç e përcakton qartë Rregullorja për Menaxhimin e Mbeturinave, e miratuar nga vetë Kuvendi Komunal.
Kurse kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, këmbënguli që pagesat qytetarët t’i bëjnë vetëm në komunë.
Komuna edhe përmes një njoftimi për media, ka ftuar qytetarët që të gjitha pagesat për shërbimet e pastrimit t’i kryejnë pranë Komunës, për të shmangur çdo paqartësi.