“Siç e patë, edhe sot u shënua një tjetër vazhdim i dështuar i seancës. Rrethanat nuk po ndryshojnë, ndërkohë që nga Vetëvendosje po kërkon që të ndryshohet dhe imponohet vota e deputetëve. Ne e kemi theksuar qartë se vota e deputetit është e lirë dhe e pakushtëzuar”, tha Bajrami.

Ajo theksoi se LDK nuk është e gatshme të hyjë në ndonjë marrëveshje politike me LVV-në dhe se subjekti i saj nuk do të mbështesë asnjë kandidat të propozuar nga kjo parti për pozitën e kryetarit të Kuvendit.

“Kryetari i Kuvendit zgjidhet në dy mënyra: ose me marrëveshje politike, ose duke propozuar një kandidat të pranueshëm. Ne e kemi thënë disa herë se për LDK-në nuk ka kandidat të pranueshëm nga Vetëvendosje, pikësëpari për shkak të historikut të tyre dhe për shkak se janë shkelës të vazhdueshëm të Kushtetutës”, shtoi ajo.

Sipas Bajramit, deputetët e LVV-së po e shkelin betimin e dhënë në Kuvend, duke vazhduar të ushtrojnë funksione ekzekutive në ministri, ndonëse janë betuar si deputetë.

“Ata po i mbajnë peng institucionet e vendit, që nënkupton se kanë shkelur betimin e deputetit dhe rrjedhimisht edhe Kushtetutën. Për këtë arsye, ju informoj se një grup i juristëve të LDK-së është në fazën përfundimtare të përgatitjes së një kallëzimi penal, të cilin së shpejti do ta dorëzojmë”, tha Bajrami.

Ajo tutje theksoi se Kosova nuk është mbretëri dhe se institucionet nuk mund të mbesin të paralizuara.

“Nuk jemi mbretëri. Institucionet nuk mbesin të thata. Në secilën ministri ka zëvendësministra që mund ta kryejnë funksionin në mungesë të ministrit”, shtoi ajo.