Nga mbi 880 milionë euro që Kosova pritet të përfitojë në total nga ky plan,  parafinancimi në vlerë prej 7% të shumës totale nuk mund të lëshohet pa konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.

Kjo sepse marrëveshjet me Bashkimin Evropian, të cilat janë me karakter ndërkombëtar, duhet të ratifikohen me dy të tretat e votave në Kuvend.

Deri më tani, vetëm Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë përfituar mjetet e parafinancimit.

“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor mund të presin parafinancimin që përfaqëson 7% të shumës totale që u takon. Në mënyrë që ata të pranojnë parafinancimin, vendet së pari duhet miratuar agjenda e reformave, dhe më pas të ratifikohen marrëveshjet për kreditë dhe mjetet. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur këto kushte dhe i kanë pranuar mjetet në mesin e muajit mars”, ka thënë  Guillaume Mercier – Zëdhënësi i Komisionit Evropian.

Nga mbi 880 milionë euro që Kosova pritet të përfitojë në total, rreth 61 milionë – janë në formë të parafinancimit.

Mirëpo, në mënyrë që kjo të realizohet, marrëveshjet duhet t’i prezantoj qeveria e re e Kosovës e më pas e ato duhet të ratifikohen nga ana e deputetëve të vendit.

Sipas njohësve të çështjeve evropiane, edhe në rast se institucionet formohen shpejt, procedurat për ratifikim do të kërkonin së paku dy deri në tre muaj kohë.