Këshilli Drejtues i RTSH-së zgjodhi të premten Eni Vasili, drejtoreshë të përgjithshme të Radio Televizionit Shqiptar.
Nëpërmjet votimit të fshehtë, znj. Vasili u votua nga 7 anëtarë të Këshillit. 3 vota shkuan për znj. Zoje Jakaj (Marashi) dhe 1 votë për kandidatin Engjëllush Musai. Të tre kandidatët arritën të kalojnë në seancën e dytë të votimit, pasi një ditë më parë nuk u përmbush kushti i votimit nga 3/5 për një kandidat.
“Votimi i dytë për Drejtor të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar rezulton të jetë i suksesshëm, pasi arrin të realizojë nevojën statutore të Radio Televizonit Publik Shqiptar për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm prej 3/5 të anëtarëve të Këshillit Drejtues. Kandidatja Eni Vasili zgjidhet Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Publik Shqiptar me 7 vota. Suksese zonja Vasili!” u shpreh kryetari i Këshillit Drejtues, z. Fatjon Hoxhalli.
Në bazë të statutit të RTSH, znj. Vasili pritet ta ushtrojë detyrën në 5 vitet që vijnë.
Gazetarja dhe moderatorja e njohur e emisionit “OPEN”, me një karrierë të gjatë në lëmin e gazetarisë, do e drejtojë RTSH me një mandat 5-vjeçar.
Ajo ishte një ndër 12 kandidatët fillestarë që paraqitën platformat dhe vizionin e tyre për medien publike.