Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka reaguar dhe ka shprehur keqardhje për pamjet e publikuara në media që dokumentojnë se një i rritur përdorë dhunë fizike ndaj një fëmije derisa zhvillohej një ndeshje futbolli e grupmoshave të reja në Fushë Kosovë.
Përmes një reagimi, KOMF thotë se dënon me forcë këtë akt të papranueshëm dhune, i cili jo vetëm që përbën shkelje të rëndë të të drejtave të fëmijës, por dëmton rëndë edhe sigurinë emocionale dhe psikologjike të fëmijëve të pranishëm.
“Dhuna ndaj fëmijëve është e pajustifikueshme, veçanërisht kur ndodh në hapësira që duhet të jenë të sigurta, edukative dhe nxitëse për zhvillimin e tyre. Ajo që e bën këtë ngjarje edhe më tronditëse, është fakti se sipas dëshmive të publikuara, sulmi ka pasur edhe motive racore”, thuhet n֝ë reagim.
KOMF i ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të hetojnë këtë ngjarje dhe të marrin masat e menjëhershme ndaj personit përgjegjës.
“Ndëshkimi i këtij akti është i domosdoshëm për të dhënë mesazhin se dhuna, racizmi dhe çdo formë tjetër e sjelljes së papërshtatshme nuk kanë vend në sport, e aq më pak në aktivitete ku marrin pjesë fëmijët”.
KOMF po ashtu inkurajon të gjithë prindërit, trajnerët, klubet sportive dhe komunitetin më të gjerë që të bëjnë përpjekje për të garantuar një ambient të sigurt, të shëndetshëm dhe pozitiv për fëmijët. Sipas tyre sporti duhet të jetë një hapësirë ku fëmijët mësojnë për respektin, bashkëpunimin, përfshirjen dhe zhvillimin e aftësive, e jo një arenë ku ata përjetojnë dhunë dhe frikë.
KOMF apelon për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve, komunitetit dhe organizatave për të ndërtuar një sistem të fortë të mbrojtjes për fëmijët në të gjitha hapësirat ku ata rriten, mësojnë dhe luajnë.
Njëkohësisht KOMF shpreh gatishmërinë e plotë për të kontribuar në këtë drejtim dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.
“Fëmijët kanë të drejtë të jenë të sigurt gjithmonë dhe kudo”, thuhet në reagimin e KOMF-së.