Ndryshimet e plotësimet e këtij ligji përfunduan në Kushtetuese nga dy partitë opozitare të legjislaturës së kaluar, PDK dhe LDK, që  veçmas kishin kërkuar vlerësim të kushtetutshmërisë për disa nene të tij.

Gjykata ka vlerësuar që paragrafët e atyre neneve nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe i njëjti i përcillet presidentes për shpallje.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur lidhur me kërkesat e bashkuara në rastin KO222/24, me parashtrues: Arben Gashi dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe KO224/24, me parashtrues: Isak Shabani dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të parashtruara në Gjykatën Kushtetuese bazuar në përcaktimet e paragrafit 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së paragrafëve 3, 4 dhe 5 të nenit 18 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë. Gjykata njëzëri (i) ka vendosur që të deklarojë kërkesat e pranueshme; (ii) të konstatojë që paragrafët 3, 4 dhe 5 të nenit 18 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, nuk janë në kundërshtim me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; si dhe (iii) të konstatojë që paragrafët 3, 4 dhe 5 të nenit 18 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, nuk janë në kundërshtim me nenet: 3 [Barazia para Ligjit], 7 [Vlerat], 24 [Barazia para Ligjit], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Bazuar në konstatimet e mësipërme, Gjykata gjithashtu vendosi që (i) Ligji i kontestuar i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje; dhe (ii) të përcaktojë që Aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.