Në 24 vjetorin e vrasjes së Ismet Rracit, në Lidhjen Demokratike të Kosovës është zbuluar pllaka përkujtimore e tij.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se më 24 prill të vitit 2001, familja Rraci humbi më të dashurin e tyre, LDK-ja një veprimtar të pashoq të orëve të rënda, Klina një kryetar komune të zgjedhur me votë demokratike e Kosova një atdhetar të lëvizjes kombëtare për liri, pavarësi e demokraci..
“Në praninë e familjarëve, zonjës Xhemile, djemve Albanit e Asimit; nën shoqërimin e deputetëve e anëtarëve të Kryesisë, sot zbuluam pllakën përkujtimore të Ismet Rracit, në 24 vjetorin e vrasjes së tij. Kjo pllakë, pjesë e korridorit të përkujtimeve në LDK, krah Enverit, Xhemes e Nekibes, do të shërbejë si shenjë kujtimi për veprën e jashtëzakonshme të burrave e grave të shtëpisë tonë në shërbim të vendit”, shkroi ai.
Abdixhiku tha se trashëgimia politike e Ismet Rracit vazhdon të jetojë brenda Lidhjes. “Atë e gjejmë sot më së miri tek tani kryetari i degës sonë në Klinë, Albani, i biri i tij!”, ka thënë Abdixhiku
Ismet Rraci që ishte themelues i Degës së LDK-së në Klinë, pas përfundimit të luftës, ishte zgjedhur kryetar i Komunës së Klinës.
“Gjatë shkuarjes së përditshme për në punë, pranë hyrjes së banesës së tij, ishte vrarë më 24 prill të vitit 2001. Vrasësit ende janë në liri!”, tha Abdixhiku.