Hapat e mëtejmë drejt vazhdimit të dialogut, si rrugë për normalizimin e marrëdhënieve, ishin në fokus të takimit ndërmjet të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Peter Sørensen, dhe shefit të ekipit negociator të Serbisë, Petar Petkoviq. “Patëm diskutime të mira për përpjekjet më të fundit dhe fushat ku mund të arrihet përparim në dialog”, shkroi Sørensen në platformën X pas takimit.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Serbisë, Petkoviq e informoi përfaqësuesin e BE-së për, siç u tha, veprimet e njëanshme të autoriteteve në Prishtinë, përfshirë mbylljen e disa institucioneve serbe në Leposaviq dhe Shtërpcë, të cilat, sipas tij, kanë ofruar ndihmë për mbi 11.000 qytetarë.

“Kanë kaluar 12 vjet që kur Prishtina nuk ka zbatuar obligimin për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, siç është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit, të garantuar nga Bashkimi Evropian”, theksoi Petkoviq, duke shtuar se Beogradi mbetet palë konstruktive në dialog.

Në takim mori pjesë edhe Velko Odaloviq, kryetar i Komisionit për Personat e Zhdukur, i cili theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Deklaratës për Personat e Zhdukur dhe e cilësoi këtë temë si çështje humanitare me prioritet.

Në fund të marsit, ai pati takimin e parë në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili atëherë deklaroi se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është parakusht për fillimin e normalizimit të marrëdhënieve.