rtsh
Fotografë dhe videografë, profesionistë dhe amatorë nga Shqipëria dhe 36 vende të botës sollën në edicionin e dyte te “Wanderlust”, imazhe dhe filmime të mrekullueshme, që shpalosin Shqipërinë përmes bukurive të natyrës dhe të trashëgimisë kulturore e historike.
Në këtë ngjarje të rëndësishme në promovimin e industrisë shqiptare të turizmit bie në sy pjesëmarrja nga vende të largëta, si Mauritius, Kolumbia, Uruguaji, Indonezia etj. ndërkohë që pjesëmarrësit në konkurs kanë ngarkuar 5.504 materiale ne faqen zyrtare të konkursit.
“Mbrëmja sonte nuk është vetëm një mbrëmje ndarjeje çmimesh, por është edhe një celebrim i fuqisë së turizmit për të ngritur ura, për të afruar kulturat dhe për të treguar historinë e Shqipërisë turistike me metodat e reja të epokës digjitale,” tha Zana Çela, drejtuese e Agjencisë Kombëtare të Turizmit.
Ajo u ndal edhe tek përditësimet më të fundit në aplikacionin TEA, i cili u vjen në ndihmë të gjithë turistëve, të cilët kërkojnë të eksplorojnë bregdetin shqiptar.
“Në aplikacionin TEA ne do të shtojmë edhe një tjetër informacion, pra TEA 3.0 tashmë do të informojë edhe për vendndodhjen e plazheve publike dhe private, si mund t’i mbërrijmë ato, madje i jep mundësi të gjithë përdoruesve që të prezantojnë ndonjë problematikë në ambientin apo plazhin ku ai është për të pushuar,” u shpreh znj. Çela.
Pjesëmarrësit në këtë event garuan në 11 kategori të ndryshme, në gjininë e peizazhit, fotos panoramike, fotos monumentale dhe siteve arkeologjike, folklorit, artizanatit, agroturizmit dhe kulinarisë etj.
Në total u shpërndanë 40 çmime, nga të cilat 4 për ambasadorët e promovimit të turizmit dhe 3 çmime nga publiku.