Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, futbollisti i grupmoshave U15 të ShF Fushë Kosovës, më 21 prill të këtij viti është sulmuar fizikisht gjatë ndeshjes që ekipi e tij e ka luajtur ndaj ShF Arsenal. Sulmi ndaj Jasharit, sipas klubit, ishte i motivuar nga përkatësia etnike e lojtarit si pjesëtar i komunitetit ashkali.

Hoti ka shprehur mbështetjen e tij për futbollistin. “Belgin, jemi me ty! Ky sulm nuk mund të heshtet – duhet të denohet ashpër. Talenti duhet të vlerësohet. Askush nuk duhet të ndihet i kërcënuar për. Çdo formë racizmi duhet të zhduket. Në një sport që duhet të vlerësohet përkushtimi dhe cilësia, paragjykimi nuk ka vend. Koha është që trajnerët dhe klubet të zgjedhin jo sipas paragjykimeve, por sipas performancës. Belgin, puno fortë sepse përfaqësuesja e Kosovës ka nevojë për një talent sikur ti!”, ka shkruar Hoti.

Edhe ministrja në detyrë, Albulena Haxhiu, e ka dënuar aktin. “Dënoj ashpër aktin e dhunës ndaj futbollistit të ri Belgin Jashari, i cili u sulmua fizikisht gjatë një ndeshje në Fushë Kosovë. Ky veprim i papranueshëm përbën shkelje të rëndë të të drejtave të fëmijës dhe rrezikon mirëqenien emocionale të të gjithë fëmijëve të pranishëm. Dhuna, sidomos me motive racore, nuk ka vend në asnjë hapësirë që u dedikohet fëmijëve e aq më pak në një fushë sportive e cila duhet të jetë vend i lojës, zhvillimit dhe përfshirjes. Republika e Kosovës, vendi ynë, është atdhe i të gjithë neve, pa asnjë dallim”, ka thënë ajo. “Shtypja, racizmi dhe çfarëdo dhune tjetër nuk mund të tolerohet prandaj ky rast duhet të trajtohet me seriozitet të lartë duke ndëshkuar autorin dhe me qëllim të parandalimit të rasteve të ngjashme në të ardhmen”.