Ziadin Sela, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, ka përkujtuar sulmin e dhunshëm ndaj tij, tetë vjet më parë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Duke folur për drejtësi në këtë rast, Sela foli edhe për zhvillimet politike atje. Ai kërkoi që në vjeshtë, veç zgjedhjeve lokale, të mbahen edhe atoqendrore të parakohshme. Ngjashëm me Selën mendojnë edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, zhvilloi një takim me gazetarë, në përvjetorin e tetë të ngjarjeve të dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë, në të cilat ai rezultoi me lëndime serioze.
Sela mbështeti idenë që bashkë me zgjedhjet lokale në vjeshtë të zhvillohen edhe ato të parakohshme parlamentare.
“Unë mendoj si politikan, që bashkë me zgjedhjet lokale, do të kemi edhe zgjedhje parlamentare dhe ne jemi për variantin që të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Dhe sipas zhvillimeve që ndodhin, çdo hap politik që ndodh, i bën më të përafërta idenë e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare bashkë me lokalet, dhe ne jemi për këtë opsion”, tha Sela.
Edhe BDI, përmes një deklarate me shkrim, ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale.
“Vendit i duhet stabilitet afatgjatë politik, që mund të sigurohet vetëm përmes zgjedhjeve të reja”, thuhet mes tjerash në reagimin e BDI-së.
Nga VLEN thonë se BDI ka frikë nga drejtësia, pasi çdo institucion e ka shndërruar në degë partie, dhe se ata janë përgjigjja e shqiptarëve ndaj kësaj politike, sipas tyre, të kalbur.