Një sulm i rëndë gjatë një festivali në jug të qytetit të Vancouver-it ka lënë pas 11 viktima dhe dhjetëra të plagosur, disa në gjendje kritike.

 

Autoritetet kanadeze kanë konfirmuar se i dyshuari për ngjarjen tragjike është Kai-Ji Adam Lo, 30 vjeç, banor i qytetit, i cili tashmë përballet me tetë akuza për vrasje të shkallës së dytë.

Sulmi ndodhi të shtunën mbrëma, rreth orës 20:14 me orën lokale, në kryqëzimin mes East 43rd Avenue dhe Fraser Street, ku mijëra persona, përfshirë familje dhe fëmijë, ishin mbledhur për të festuar në një nga ngjarjet më të mëdha të komunitetit filipinas në Kanada.

Sipas të dhënave paraprake, Lo ishte i njohur për autoritetet lokale dhe shërbimet e shëndetit mendor, por hetimet deri tani nuk kanë zbuluar ndonjë motiv ekstremist apo terrorist.

Pamjet nga vendngjarja dhe rrëfimet e dëshmitarëve përshkruajnë momente kaosi dhe paniku.

“Kjo ngjarje do të lërë plagë të thella për shumë vite,” u shpreh RJ Aquino, përfaqësues i organizatës Filipino BC.

Në shenjë respekti, Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, anuloi tubimet elektorale dhe vizitoi vendin e tragjedisë, ku qëndroi në heshtje me anëtarë të komunitetit dhe mori pjesë në një meshë përkujtimore.