“Ne e dimë saktë që jemi në të drejtën tonë sepse, e para, jemi në një hapësirë publike të kryeqytetit. E dyta, objektet për të cilat pretendohet se gëzojnë mbrojtje kulturore, ish-RTP, Rektorati i UP-së, Hotel ‘Grand’, janë më tepër fasadat e tyre që gëzojnë mbrojtje. Ato nuk atakohen në asnjë formë me projektin që po e zhvillon Komuna, sepse ne po bëjmë punë sipërfaqësore me largimin e asfaltit dhe vendosjen e kubëzave që janë paraparë dhe për t’i bërë disa intervenime të cilat jo vetëm që nuk do ta cënojnë, por do ia rrisin vlerën sheshit ‘Xhorxh Bush’ dhe objekteve,” ka thënë ai në “Info Plus” të RTK-së.

“Të gjitha këto kanë më tepër tendencë politike sesa praktike… Jemi konsultuar dhe parë që mund të vazhdojmë lirisht me punimet, sepse gjindemi në perimetrin që është zonë jo e mbrojtur sipas ligjit për Trashëgimi Kulturore,” ka thënë ai.

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore më 12 mars të këtij viti kishte ndaluar punimet në këtë shesh, vetëm dy ditë pasi kishin nisur nga Komuna e Prishtinës, projekt ky që kap vlerën prej 18 milionë e 400 mijë eurove.

Sipas planifikimeve fillestare që i kishte prezantuar komuna, punimet për ndërtimin e këtij sheshi parashihen të zgjasin 240 ditë pune.